Ceremonia e Topit të Artë 2025 do të mbahet sot në Paris, dhe tensioni për fituesin është më i madh se kurrë. Një nga emrat më të përfolur është talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, i cili vetëm 18 vjeç ka shkëlqyer me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme gjatë sezonit.
Gazetari spanjoll Edu Aguirre – i njohur për afërsinë e tij me Real Madrid – ka hedhur “bombën” duke deklaruar se Yamal tashmë është fituesi.
“Mendoj se Lamine Yamal ka fituar Topin e Artë,” është shprehur ai, duke i dhënë më shumë peshë spekulimeve që qarkullojnë orët e fundit.
Një tjetër detaj që ka rritur dyshimet është fakti se Yamal do të udhëtojë drejt Parisit i shoqëruar nga 20 anëtarë të familjes së tij – një shenjë që shpesh lidhet me fitoren e trofeut, pasi klubet dhe lojtarët zakonisht e dinë paraprakisht rezultatin.
Megjithatë, favorit kryesor për muaj të tërë ka qenë Ousmane Dembele, i cili me Paris Saint-Germain fitoi Ligën e Kampionëve dhe çdo trofe të mundshëm në Francë. Francezi shihej si kandidati më i fortë, por deklaratat e fundit dhe lëvizjet në prapaskenë sugjerojnë se gara mund të ketë një kthesë dramatike.
Të gjitha dilemat do të marrin fund në mbrëmje, kur FIFA dhe France Football do të shpallin zyrtarisht lojtarin më të mirë në botë për vitin 2025.