Ceremonia e Topit të Artë 2025 po zhvillohet në Paris (22 shtator), aty ku do të shpallet futbollisti më i mirë i planetit për këtë vit.
Para shpalljes së fituesit, janë zbuluar tashmë renditjet nga vendi i 30-të deri te i 21-ti, me shumë emra të mëdhenj të futbollit botëror që kanë zënë këto pozita.
Në vendin e 30-të është mesfushori i Bayern Munichut, Michael Olise, i cili e sheh veten mes më të mirëve pas një sezoni impresionues në Bundesliga. Pas tij, në pozitën e 29-të, është ylli i Liverpoolit, Florian Wirtz, një nga talentet më të mëdha të futbollit gjerman.
Mbrojtësi holandez Virgil van Dijk zë vendin e 28-të, ndërsa kapiteni i Arsenalit, Declan Rice, është pozicionuar i 27-ti. Një surprizë e vogël është renditja e Erling Haaland në vendin e 26-të, pasi sulmuesi i Manchester Cityt pritej të ishte më lart pas performancave të tij.
Lista vazhdon me mbrojtësin e Interit, Denzel Dumfries (25), mesfushorin e PSG-së, Fabian Ruiz (24) dhe superyllin e Real Madridit, Jude Bellingham, i cili është renditur në pozitën e 23-të.
Në vendin e 22-të ndodhet kampioni i botës me Argjentinën, Alexis Mac Allister nga Liverpooli, ndërsa top-30 për momentin mbyllet me Serhou Guirassy të Borussia Dortmundit në pozitën e 21-të.
Këta emra tregojnë edhe njëherë konkurrencën e ashpër për çmimin më prestigjioz individual në futboll. Lista e plotë do të bëhet e ditur në ceremoninë madhështore në Paris, ku pritet të shpallet edhe fituesi i Topit të Artë 2025.