Alarm në Kopenhagë, dronët fluturojnë pranë aeroportit, anulohen me dhjetëra fluturime

- Bota Sot

Alarm në Kopenhagë, dronët fluturojnë pranë aeroportit, anulohen me dhjetëra fluturime

Aeroporti i Kopenhagës ka pezulluar të gjitha fluturimet pas raportimeve për prani të disa dronëve në zonën pranë aeroportit. Sipas policisë daneze, janë parë katër dronë të mëdhenj pranë aeroportit, gjë që detyroi autoritetet të ndalonin si uljet, ashtu edhe ngritjet e avionëve.

Flightradar raportoi se pezullimi nisi në orën 20:26 sipas kohës lokale, ndërsa të paktën 35 fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera. 

Një pasagjer që po udhëtonte nga Amsterdami drejt Kopenhagës tregoi për mediat daneze se avioni i tij u devijua në Billund.

“Na thanë se aeroporti ishte mbyllur për shkak të dronëve, por stafi nuk dinte më shumë. Po presim në avion ndërsa po rimbushet me karburant,” tha ai.

Një zëdhënëse e aeroportit e cilësoi incidentin si “të pazakontë”, duke theksuar se procedura standarde ndalon çdo fluturim derisa situata të sqarohet. Policia vijon hetimet dhe nuk ka dhënë ende detaje të tjera. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot