Napoli vazhdon formën e shkëlqyer në kampionatin italian, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi në po aq javë të luajtura në Serie A.
Skuadra e trajnerit Antonio Conte mposhti Pisën me rezultatin 3-2 në stadiumin “Diego Armando Maradona”, duke u ngjitur kështu në krye të klasifikimit si skuadra e vetme që ka marrë maksimumin e pikëve deri tani.
Ndeshja nisi me intensitet të lartë dhe u zgjidh vetëm në minutat e fundit. Napoli kaloi i pari në avantazh me anë të mesfushorit Gilmour në minutën e 39’, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi.
Në pjesën e dytë, Pisa reagoi dhe barazoi me penalltinë e Nzolës, por napoletanët rikthyen avantazhin me një goditje të bukur nga distanca të Spinazzolës.
Conte hodhi në fushë sulmuesin Lucca, i cili shënoi golin e tretë për vendasit, duke e çuar rezultatin në 3-1. Megjithatë, Lorran ngushtoi diferencën në minutën e 90’, por ishte shumë vonë për të shmangur humbjen.
Kjo fitore e radhës e mban Napolin në vendin e parë të renditjes, me 12 pikë pas katër javësh, dy më shumë se ndjekësja më e afërt, Juventus.
Kampionët në fuqi duken në formë të mirë edhe këtë sezon, falë jo vetëm punës së trajnerit Conte, por edhe merkatos së suksesshme verore që ka përforcuar ndjeshëm skuadrën.