Ish-mesfushori legjendar i Manchester United, Paul Scholes, ka hedhur kritika të forta ndaj Marcus Rashford, pavarësisht formës së mirë që sulmuesi po tregon aktualisht te Barcelona nën urdhrat e Hansi Flick-ut. Në podcastin “The Good, The Bad & The Football”, Scholes e lavdëroi talentin e lojtarit, por nuk i kurseu komentet e ashpra për qëndrimin e tij gjatë kohës në “Old Trafford”.
“Askush nuk dyshon te aftësitë e tij, janë të jashtëzakonshme.
Goli i dytë që shënoi ndaj Neëcastle ishte i mrekullueshëm. Por, sinqerisht,e kam të vështirë të ndihem i lumtur për të, kryesisht për shkak të qëndrimit që tregoi tek United,” tha Scholes.
Ai kujtoi largimin e Rashford nga klubi pas mosmarrëveshjeve me trajnerin Rúben Amorim: “Kur u largua, mendova se ishte një turp për United. Nuk jepte as minimumin e përpjekjes, thjesht ecte në fushë. Nëse përplasesh me trajnerin, mirë, por mos harro se ke shokë skuadre dhe mijëra tifozë që të mbështesin çdo javë.”
Scholes e cilësoi sjelljen e sulmuesit si të pafalshme: “Më dukej sikur Rashford e braktisi United-in.
Dhe kur e bën një herë, ka gjasa ta bësh sërish.”
Ish-mesfushori nuk ngurroi të lëshonte edhe një paralajmërim për karrierën e Rashford te Barça:
“Edhe ndaj Newcastle pashë shenja se nuk kishte dëshirë të rikthehej në mbrojtje.
Në Barcelonë nuk do të tolerohet gjatë një sjellje e tillë.”
Kritikat e Scholes erdhën vetëm pak ditë pasi Rashford u la jashtë formacionit titullar në ndeshjen kundër Getafes, për shkak se kishte mbërritur me vonesë në mbledhjen e skuadrës, një tjetër sinjal se Flick nuk pranon shpërqendrime nga disiplinimi i ekipit.