Olympique Marseille ka thyer një tabu, duke mposhtur Paris Saint-Germain pas 14 vitesh pritjeje.
Sfida e zhvilluar në “Velodrome” përfundoi me rezultatin 1:0, falë golit të shënuar nga Aguerd që në minutën e pestë të takimit.
Atmosfera elektrizuese dhe lufta e ashpër në fushë i dhanë derbit një rëndësi të veçantë, por gjithçka kulmoi në fundin e ndeshjes me një episod të bujshëm që kishte protagonist trajnerin Roberto De Zerbin.
Në minutat e fundit, italiani shpërtheu kundër një vendimi të arbitrit, duke hyrë në fushë për të protestuar me forcë.
Gjyqtari reagoi menjëherë duke i treguar kartonin e verdhë, por kjo nuk e ndali zemërimin e De Zerbit.
Në vetëm pak sekonda, protestat e vazhdueshme i kushtuan atij edhe kartonin e kuq, duke e lënë pankinën e Marseille pa drejtuesin e saj.
Megjithatë, pavarësisht tensionit të fundjavës, festa e tifozëve marsejezë shpërtheu fuqishëm. Pas më shumë se një dekade dominimi të PSG-së në këtë derbi, skuadra e De Zerbit arriti të thyejë mallkimin, duke dhënë sinjale të qarta se është gati të sfidojë edhe më lart në Ligue 1.
Ky sukses, i shoqëruar nga episodi i bujshëm i trajnerit italian, pritet të mbetet gjatë në memorien e kampionatit francez.