Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, do të jetë plotësisht i gatshëm për sfidën e radhës me skuadrën e Napolit.
Sipas medieve italiane, mbrojtësi kosovar pritet të rikthehet titullar në derbin kundër Milanit, që zhvillohet të dielën mbrëma në “San Siro”, në kuadër të javës së pestë të Serie A.
Rrahmani kishte munguar në tri ndeshjet e fundit të Napolit, për shkak të një lëndimi të pësuar në përballjen Zvicër – Kosovë, në kualifikimet për Botërorin 2026.
Ai tashmë është rikuperuar plotësisht dhe ishte pjesë e skuadrës në ndeshjen e fituar ndaj Pisas, por nuk u aktivizua nga trajneri Antonio Conte.
Mbrojtësi nuk ka luajtur as në sfidat kundër Fiorentinës dhe Pisas në kampionat, si dhe ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.
Napoli është aktualisht lider në Serie A, me katër fitore në po aq ndeshje, tri pikë përpara Milanit, rivalit të së dielës ku pritet rikthimi në fushë i Rrahmanit.