Ndarja e çmimeve në gala mbrëmjen e Topit të Artë nuk i ka gjetur të gjithë dakord me vendimet.
Nuk janë limituar ankesat vetëm në fituesin, Ousmane Dembele, për të cilin kanë protestuar babai dhe e dashura e Lamine Yamalit.
Por, pati kritika edhe për renditjen e përgjithshme në Topin e Artë.
Braziliani Raphinha përfundoi vetëm i pesti, prapa Salah, Vitinha, Yamal e Dembele.
E ndaj këtij vendimi ka reaguar bashkëkombësi i futbollistit të Barcelonës, Neymar.
Raphinha e pati një sezon të jashtëzakonshëm dhe në një moment gjatë edicionit të shkuar shihej si favorit për Top të Artë.
“Raphinha i pesti, kjo është një shaka”, shkroi futbollisti i Santosit në postimin e krijuesit brazilian, Eduardo Semblano, i cili e kishte postuar Top 10-shen e Topit të Artë në rrjetet sociale.
Kujtojmë që Raphinha ishte protagonist i sezonit të fundit duke e fituar kampionatin spanjoll me Barcelonën dhe në në këtë periudhë i ka realizuar 34 gola dhe i ka bërë 25 asistime në 57 ndeshje të zhvilluara.
Ndërkohë, Barça e fitoi edhe Copa del Rey dhe Superkupën e Spanjës.
I mungoi veç Liga e Kampionëve, ku Barça u eliminua nga Interi.
Dhe, për krejt këto arritje, meritat më të mëdha i kishin Raphinha dhe Lamine Yamal.
Vitin e kaluar, kujtojmë, Neymar e kishte ‘sponsorizuar’ një tjetër bashkëkombës, më saktësisht Vinicius Juniorin, i cili kishte përfunduar i dyti prapa Rodrit, në një edicion kontrovers që e shtyu Real Madridin ta bojkotonte gala mbrëmjen, gjë të cilën e bëri edhe sivjet në shenjë proteste.