Dinamo do të përballet të shtunën me Tiranën, ku do të luajë derbin e parë të kryeqytetit për këtë sezon. “Nëndetësja” do të jetë si udhëtuese në këtë sfidë, pavarësisht se me Tiranën do të ndajnë stadiumin “Selman Stërmasi” këtë sezon.Mungesat dhe rikthimet nuk i ndahen trajnerit Ilir Daja, i cili në takimin ndaj Tiranës, me shumë gjasa nuk do të ketë shërbimet e mbrojtësit Bekim Maliqi.
Ky i fundit, u largua i dëmtuar në takimin e fundit duke detyruar Dajën që të bënte edhe një ndërrim, pasi Farruku ishte projektuar të hynte megjithatë, dëmtimi i Maliqit bëri që të aktivizohej Meksi.
Ditën e sotme, pritet që të shihet më mirë gjendja fizike e Maliqit, pasi dyshimet e para janë për një tërheqje dhe nëse diçka e tillë provohet në eko, atëherë lojtari rrezikon një pushim pak më të gjatë. Ndërkohë, lajmi i mirë nga infermieria lidhet me Saliu Guindon i cili pritet që të jetë i gatshëm ndaj Tiranës. sulmuesi i afruar në këtë verë te Dinamo, ka munguar për disa javë për shkak dëmtimi dhe këtë javë pritet që të nisë stërvitjen normalisht me grupit, por është e qartë se gjendja e tij fizike nuk është më e mira e mundshme.
Guindos do t’i duhen disa seanca stërvitore për të arritur ritmin e grupit, e padyshim një rikthim i tij do të ishte një frymëmarrje për Dajën, pasi do të ketë në dispozicion një lojtar që e njeh mjaft mirë portën dhe në vazhdim, mund të sigurojë golat.
Sakaq, një tjetër rikthim me peshë është ai i Nanit. Sulmuesi portugez u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Teutës dhe në javën e fundit kundër Bylisit, e ndoqi takimin nga tribuna, ku ishte së bashku me Guindon e dëmtuar.