KFF Mitrovica ka vite që është bërë sinonim i suksesit në futbollin e femrave në Kosovë, duke dominuar me rezultate dhe tituj, por edhe duke u shndërruar në derën kryesore të hapur për vajzat e talentuara që ëndërrojnë të luajnë në kampionatet evropiane.
Vetëm në dy sezonet e fundit, mbi 10 futbolliste që dolën nga Mitrovica kanë gjetur rrugën drejt ekipeve të huaja.
Në Turqi kanë vazhduar karrierën Donjeta Halili, Kaltrina Biqkaj, Lumbardha Misini (tash pjesë e kampionatit zviceran), Fatlinda Ramaj, Marigona Tahiri, Agnesa Gashi dhe Shkurta Maliqi. Në Kroaci janë transferuar Endrina Elezi dhe Edona Kryeziu (e cila është rikthyer përsëri në klub), ndërsa në Rumani ka kaluar Jehona Shala.
Edhe pse kampionati i Kosovës ka nisur dhe pas pesë xhirove Mitrovica është ende në garë të ngushtë për titull, klubi nuk ka hezituar të lirojë tri lojtare bazë që të vazhdojnë ëndrrën e tyre në ligat e huaja.
Mitrovica sot është shembull i një klubi serioz, që me profesionalizëm, punë dhe përkushtim po krijon hapësira të reja për futbollistet, duke i ndihmuar të bëhen pjesë e tregut evropian të futbollit.
KFF Mitrovica – klubi i mundësive dhe i së ardhmes në futbollin e femrave!