Ndeshja e Ligës së Kampionëve midis Napolit dhe Aintraht Frankfurt, e planifikuar të zhvillohet të martën, më 4 nëntor, në stadiumin “Diego Armando Maradona”, do të luhet pa praninë e tifozëve gjermanë.
-Prefekti i Napolit, Mikele di Bari, ka urdhëruar ndalimin e shitjes së biletave për tifozët e Frankfurtit në të gjitha sektorët e stadiumit.
“Vendimi u mor pas rekomandimit të Shtabit të Policisë dhe në përputhje me Komitetin Krahinor për Rendin dhe Sigurinë Publike, për shkak të “rrezikut të lartë për rendin dhe sigurinë publike”, siç thuhet në deklaratën zyrtare të Prefekturës.
Autoritetet theksuan se masa lidhet me rivalitetin mes dy grupeve të tifozëve, i cili në të kaluarën ka shkaktuar incidente të rënda, përfshirë përplasjet e 14 marsit 2023 në Napoli.
Kështu, takimi i rëndësishëm i fazës së grupeve do të zhvillohet vetëm me praninë e tifozëve vendas.