Në natën më të rëndësishme për botën e futbollit, atë të ceremonisë së Topit të Artë, një postim në rrjetet sociale nga një legjendë e futbollit nuk kaloi pa u vënë re.
Bëhet fjalë për Zlatan Ibrahimoviç, i cili vetëm pak orë para fillimit të eventit të “France Football” publikoi në Instagram një video të shkurtër, por mjaft domethënëse, që menjëherë shkaktoi reagime të shumta mes tifozëve, mes të cilëve pati edhe nga ata që e ironizuan për disa “mungesa”.
Ibra i ngjante një “fortese” kujtimesh, që përmbante sukseset e një karriere të jashtëzakonshme të shtrirë deri në moshën 41-vjeçare.
Nga hapat e parë me Malmö, kalimi në Ajax, vitet në Itali me Juventus, Inter e Milan, eksperiencat në Spanjë me Barcelonën, në Francë me PSG, në Angli me Manchester United, e deri te aventura në MLS amerikane, çdo stacion i solli trofe dhe përvoja që sulmuesi suedez i ruan si pasuri të çmuar.
Por, përveç klubeve, dashuria e tij më e madhe ka qenë gjithmonë kombëtarja e Suedisë, gjë që e tregoi qartë me fanellën në video, me numrin 122 në shpinë, që përfaqëson ndeshjet e tij me përfaqësuesen.
Edhe pse pa një trofe me Suedinë, Zlatan u dha tifozëve momente të paharrueshme, mbi të gjitha golin e famshëm kundër Anglisë, në nëntor 2012.