Verën e kaluar, transferimi i Teun Koopmeiners nga Atalanta te Juventus për 60 milionë euro, ishte padyshim një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos.
Në sezonin e kaluar, i pari për të me fanellën e Juventusit, mesfushori holandez nuk arriti të lërë gjurmë. Drejtuesit e Juventusit shpresuan se situata me të do ndryshonte pas ardhjes si trajner të Igor Tudor, por asgjë nuk ndryshoi.
Koopmeiners i Juventusit nuk ka asgjë të përbashkët me atë që ishte tek Atalanta, ku ishte një nga top mesfushorët më të mirë në qarkullim. “Sportmediaset” raporton se drejtuesit e klubit bardhezi kanë vendosur për largimin e mesfushorit holandez gjatë merkatos së janarit.
Me shumë mundësi do jetë një huazim me të drejtë blerjeje, pasi duke parë formën e dobët të tij, vështirë se mund të ketë një ofertë direkte për blerje përfundimtare.
Holandezi pritet të ndryshojë destinacion gjatë merkatos së janarit, por ende nuk dihet nëse do qëndrojë në Serie A apo do kërkojë të rigjejë formën e dikurshme larg Italisë.