Franco Mastantuono flet për golin e tij të parë te Real Madridi

- Bota Sot

Franco Mastantuono flet për golin e tij të parë te Real Madridi

Franco Mastantuono shënoi golin e tij të parë me fanellën e Real Madridit në fitoren 4-1 ndaj Levantes, në javën e gjashtë të La Ligas.

Mesfushori 18-vjeçar argjentinas u shpreh i emocionuar për momentin historik në karrierën e tij, duke theksuar rëndësinë e këtij debutimi të suksesshëm.

“Është një ndjenjë e veçantë dhe një moment i pabesueshëm. E kisha pritur këtë mbrëmje për një kohë të gjatë dhe fatmirësisht ndodhi. Ekipi mori një rezultat të madh, kështu që është gjithçka shumë pozitive. Jam shumë i lumtur”, ka thënë fillimisht Mastantuono.

Goli i Mastantuonos erdhi në minutën e 38-të pas një aksioni të ndërtuar nga Vinicius.

“Ai e nisi shumë mirë aksionin, shikoi nga ana tjetër dhe më pa mua. Për fat, arrita ta përfundoj me sukses. Kisha humbur dy raste më të lehta, por më e rëndësishmja është që arrita të shënoj”, ka thënë talenti i ri.

I pyetur për kërkesat që ka trajneri ndaj tij, ai ka thënë, “Ai më kërkon të luaj në krahun e djathtë, të hyj nga brenda dhe të kombinoj me shokët e skuadrës. Po ashtu, më kërkon të përballem në duele një kundër një dhe të ndihmoj edhe në mbrojtje. Kërkon shumë nga unë dhe unë ndjehem mirë, i gatshëm për të përmbushur gjithçka”.

Mastantuono theksoi se po përpiqet ta marrë me qetësi këtë hap të madh në karrierën e tij.

“Ndjehem shumë i qetë. Është një kënaqësi e madhe, ëndrra ime është bërë realitet që jam këtu dhe përpiqem ta përjetoj natyrshëm, edhe pse nuk është e lehtë”.

Në fund, ai vuri në dukje mbështetjen që merr nga njerëzit më të afërt në jetën e tij.

“Kam shumë gjëra që më ndihmojnë të qëndroj me këmbë në tokë, familjen, miqtë, njerëzit që dua ata më ndihmojnë të qëndroj i qetë dhe të shijoj atë që bëj, dhe kjo është puna më e mrekullueshme në botë”, perfundoi Mastantuono.

Me këtë paraqitje premtuese, Mastantuono konfirmon potencialin e tij si një nga talentet më premtues në radhët e Real Madridit. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot