Pas barazimit 1-1 mes Arsenalit dhe Manchester City, Roy Keane, ish-futbollist dhe komentator i “Sky Sports”, kritikoi në mënyrë ironike Guardiolën për justifikimin e tij mbi lodhjen e skuadrës.
Trajneri katalanas kishte thënë se City ishte i lodhur për shkak të kalendarit të ngjeshur, duke përmendur ndeshjen “emocionale” ndaj Napolit në Champions dhe udhëtimin 4-5 orësh drejt Londrës.
Keane e hodhi poshtë këtë: “Mos vallë kishin udhëtuar nga Rusia ose Polonia deri këtu…
Jemi në shtator dhe vijnë nga dy ndeshje në shtëpi. Kundër Manchester United ishte e lehtë, ndaj Napolit luajtën me një lojtar më shumë për 70 minuta. Nëse kjo është lodhje, po, hajde të ikim”.
Megjithatë, kalendari i City është i ngjeshur, si i çdo klubi të madh europian, por skuadra e Guardiolës është ndër më të thellat dhe më të shtrenjtat në botë. Në fushë, Haaland shënoi në minutën e 10-të, por Arsenali mori kontrollin, shtyu lart dhe Gabriel Martinelli barazoi në minutat e fundit.