Botërori me 64 Kombëtare, më shumë mundësi kualifikimi për Kosovën

- Bota Sot

Botërori me 64 Kombëtare, më shumë mundësi kualifikimi për Kosovën

Kosova dhe Shqipëria do të mundë të kenë më shumë gjasa për t’u kualifikuar në Kampionat Botëror në të ardhmen.

Natyrisht, kjo mund të arrihet nëse FIFA e merr vendimin përfundimtar për zgjerimin e evenimentit më të rëndësishëm në futbollin botëror.

Në fakt, liderët e futbollit jug-amerikan kanë kërkuar nga shtëpia e futbollit botëror që ta zgjerojë Kupën e Botës në 64 Kombëtare, shkruan “The New York Times”.

Dhe, FIFA thuhet se është duke e shqyrtuar këtë mundësi pasi erdhi nga një kontinent që ka ndikim tek ajo.

Presidenti i institucionit më të lartë të futbollit botëror, Gianni Infantino dhe sekretari i përgjithshëm, Mattias Grafstrom thuhet se kanë pasur takim në New York me përfaqësuesit e Federatave të Futbollit të Argjentinës, Uruguait dhe Paraguait, ndërsa ata janë udhëhequr në takim nga presidenti i CONMEBOL (Federata e Futbollit të Amerikës së Jugut), Alejandro Dominguez, i cili njëherësh është zëvendës-president i FIFA-s.

Ky zgjerim synohet të bëhet nga viti 2030, ndërsa idenë i pari e ka prezantuar Uruguai para disa muajsh.

Botërori ka pasur ngritje konstante të numrit të pjesëmarrësve në kohët e fundit.

Prej 16 Kombëtare fillimisht ishte rritur në 24, ndërsa në dekadat e fundit atë e përfaqësojnë 32 Kombëtare.

E Botërori që do të mbahet vitin tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë do t’i ketë 48 Kombëtare pjesëmarrëse.

Në rast se aprovohet ideja që Botërori t’i ketë 64 Kombëtare pjesëmarrëse, i bie që më shumë se 30 për qind e 211 shteteve anëtare të FIFA-s të luajnë në këtë garë prestigjioze.

Kjo natyrisht do t’i rriste ndjeshëm gjasat e Kombëtares së Kosovës dhe të asaj të Shqipërisë për pjesëmarrje në Botëror në të ardhmen.



Lexoni të gjitha në Bota Sot