Shtëpia e Liverpool-it është pushtuar nga shqetësimi pas dëmtimit të Giovanni Leoni-t, i cili bëri debutimin e tij me fanellën e “The Reds” në ndeshjen e Kupës së Ligës kundër Southampton-it.
Talentit italian të lindur në vitin 2006 iu prish festa e debutimit në minutën e 81-të, kur u rrëzua keq pas një ndërhyrjeje për rikuperim topi dhe u detyrua të largohej nga fusha me barelë, dukshëm i lënduar.
Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, nuk e fshehu shqetësimin në intervistën pas ndeshjes:
“Kur një lojtar lëviz në atë mënyrë, zakonisht nuk është shenjë e mirë. Ndjesitë ishin negative, por shpresojmë të mos jetë asgjë e rëndë. Normalisht emocionet e lojtarit tregojnë shumë.”
Leoni është duke iu nënshtruar kontrolleve të detajuara mjekësore, përfshirë një rezonancë magnetike, për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Slot solli edhe një shembull optimist:
“Gjatë fundjavës pashë një lojtar të Eredivisie, Ruben van Bommel të PSV-së, që u largua mes lotësh nga fusha dhe të nesërmen u konfirmua se nuk kishte asgjë serioze. Shpresojmë të ndodhë e njëjta gjë me Leonin.”
Të gjithë në Anfield janë me sytë nga rezultatet e ekzaminimeve, duke shpresuar që debutimi i Leonit të mos kthehet në një makth për të riun italian dhe për Liverpoolin.