Napoli i Antonio Contes kaloi provën e parë të rëndësishme të sezonit: të tregojë se nuk mbështetet vetëm te njëmbëdhjetëshja titullare, por ka një grup të gjatë dhe cilësor.
Në përballjen e vështirë me Pisën, të kaltërit fituan 3-2 duke dëshmuar se edhe lojtarët e stolit dinë të bëjnë diferencën kur thirren në skenë.
Përballë një kundërshtari të organizuar dhe me ritëm të lartë, Konte vendosi të aplikojë një mini rotacion, duke u dhënë hapësirë atyre që zakonisht shihen më pak. Rezultati ishte pozitiv: Spinacola bëri një ndeshje të shkëlqyer, Luka shënoi dhe u tregua vendimtar, ndërsa Gilmour dha siguri në mesfushë.
Në qendër të lojës, si gjithmonë, ishte De Brojne, lider teknik dhe karizmatik, i aftë të udhëheqë shokët jo vetëm me topin në këmbë, por edhe me fjalë.
Ky sukses shkon përtej tri pikëve. Ai tregon se Napoli ka një grup të bashkuar, ku edhe rezervat ndihen pjesë e projektit. Fryma e ekipit u duk qartë, me një përkushtim të madh nga të gjithë, edhe prej atyre që zakonisht e shohin ndeshjen nga pankina.
Për Conten, ky është një sinjal inkurajues në një sezon që pritet i gjatë dhe i ngarkuar me ndeshje në kampionat dhe Champions League.
Trajneri kërkon të mbajë gjithmonë nivel të lartë konkurrueshmërie, pa rrezikuar lodhje ose rënie fizike. Menaxhimi i forcave do të jetë çelësi për të qëndruar lart në të gjitha garat.
Fitore si kjo ndaj Pisës tregojnë se Napoli nuk është i varur vetëm nga yjet e tij, por ka në dispozicion një skuadër të thellë dhe të besueshme. Në fund, Konte e di se sfidat e mëdha janë ende përpara, por prova e parë është kaluar me sukses. Dhe kjo i jep Napolit besim se mund të shkojë deri në fund në garat e sezonit.