Zelensky në OKB: Siguria kombëtare duhet të jetë e drejtë për të gjithë, jo privilegj për disa

- Bota Sot

Zelensky në OKB: Siguria kombëtare duhet të jetë e drejtë për të gjithë, jo privilegj për disa

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u rikthye te pushtimi rus, duke theksuar se “çdo vit që ky luftim vazhdon, armët bëhen edhe më vdekjeprurëse dhe vetëm Rusia mban përgjegjësinë për këtë”.

Sipas The Guardian, ai tregoi se Ukraina është detyruar të ndërtojë “shkolla dhe spitale nëntokësore” për të shpëtuar jetë dhe të mësojë fermerët si të mbrojnë pajisjet e tyre nga sulmet me dronë.

“Lufta e Rusisë na ka vënë në këtë situatë. Por a keni ju mbrojtje ndaj kërcënimeve të ngjashme?”, pyeti ai liderët botërorë.
Zelensky paralajmëroi se ndalimi i luftës tani është më i lirë sesa ndërtimi i kopshteve nëntokësore apo bunkerëve masivë për infrastrukturën kritike më vonë. Ai shtoi:

“Ndalimi i Putinit tani është më i lirë se sa të përpiqesh të mbrosh çdo port e çdo anije nga terroristët me dronë detarë. Ndalimi i Rusisë tani është më i lirë sesa të pyesim kush do të jetë forca që do të krijojë një dron të thjeshtë me një kokë bërthamore”.
Duke iu drejtuar liderëve, ai bëri thirrje për veprim të përbashkët:

“Duhet të përdorim gjithçka që kemi për të detyruar agresorin të ndalet, vetëm atëherë kemi një shans real që kjo garë armatimesh të mos përfundojë në katastrofë për të gjithë ne. Nëse duhen armë, nëse duhet presion ndaj Rusisë, atëherë duhet bërë, dhe duhet bërë tani”.

Ai theksoi se siguria nuk duhet të mbetet privilegj për disa shtete:

“Nëse garancitë e sigurisë funksionojnë për Ukrainën, diçka më shumë se vetëm miq dhe armë, atëherë kjo do të thotë se njerëzimi arriti ta bëjë sigurinë kombëtare një të drejtë për të gjithë”.

Zelensky iu drejtua edhe partnerëve tregtarë të Rusisë, duke thënë se përgjigjja e tyre do të vendosë nëse Rusia do të vazhdojë agresionin.

“Lufta tashmë ka prekur shumë njerëz për të bërë sikur nuk ka të bëjë me ju. Varet nga ju nëse do të ndihmoni paqen apo do të vazhdoni tregtinë me Rusinë dhe do ta ndihmoni atë të financojë këtë luftë”, tha ai.

Presidenti ukrainas falënderoi gjithashtu presidentin amerikan Donald Trump për mbështetjen pas takimit të tyre të së martës, duke e mbyllur me një apel të fortë:

“Mos qëndroni në heshtje ndërsa Rusia vazhdon ta zgjasë këtë luftë. Ju lutem flisni dhe dënojeni. Bashkohuni me ne në mbrojtjen e ligjit dhe rendit ndërkombëtar. Njerëzit po presin veprim”



Lexoni të gjitha në Bota Sot