Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, u takuan ballë për ballë të mërkurën pasdite, pas deklaratave të Trump mbi Ukrainën dhe fjalimit të Volodymyr Zelensky në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Takimi filloi pa deklarata për shtyp dhe vazhdoi me dyer të mbyllura, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë ndonjë pas përfundimit të kontakteve.
Qëndrimi rus u sinjalizua më parë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili tha se Lavrov do t’i jepte Uashingtonit “informacion të vërtetë”.
Ai argumentoi se përparimet graduale të Rusisë në Ukrainë ishin të qëllimshme. “Po veprojmë me shumë kujdes për të minimizuar humbjet dhe për të mos shkatërruar potencialin tonë ofensiv”, tha ai.
“Për aq sa kuptojmë ne, deklaratat e Presidentit Trump u bënë pas komunikimit të tij me Zelenskyn dhe, me sa duket, nën ndikimin e një vizioni të paraqitur nga ukrainasi. Ky vizion bie ndesh ashpër me kuptimin tonë për gjendjen aktuale të punëve”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Fakti që Ukraina po inkurajohet në çdo mënyrë të mundshme që të vazhdojë armiqësitë dhe argumenti se Ukraina mund të fitojë dhe të marrë diçka mbrapsht është, sipas mendimit tonë, një argument i rremë…Dinamikat në vijën e frontit flasin vetë”, përfundoi Peskov.