Gravina ngre alarmin

- Bota Sot

Gravina ngre alarmin

Një deklaratë e papritur nga presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, ka ndezur alarmin rreth së ardhmes së stadiumit ‘San Siro’. Sipas tij, “Stadio Meazza” nuk i plotëson kriteret e UEFA-s për të pritur ndeshje të Euro 2032”, kompeticion që Italia do ta organizojë së bashku me Turqinë.

Nëse situata nuk ndryshon, Milano rrezikon të mos përfshihet mes qyteteve pritëse të kampionatit evropian. Gravina u bëri thirrje institucioneve politike, në bashkëpunim me Interin dhe Milanin, që të gjejnë zgjidhjen më të mirë për të ardhmen e arenës historike.

Sipas afateve të UEFA-s, deri më 31 korrik 2026 Italia duhet të dorëzojë listën përfundimtare të stadiumeve që do të presin Euro 2032. Impiantet duhet të kenë projekte të miratuara, të financuara dhe me punimet të nisura deri në mars 2027. Një garë me kohën për Milanon, e cila aktualisht rrezikon të mbetet jashtë.

Ndërkohë, Gravina ka zbuluar se klima pozitive e takimeve me 13 qytetet e interesuara po sjell edhe skenarë të rinj. Për shembull, Roma mund të paraqitet me dy stadiume: “Olimpico” dhe impiantin e ri që synon të ndërtojë AS Roma. “Nuk mund ta imagjinoj një Evropian 2032 pa qytetin më ndërkombëtar të Italisë”, ka theksuar kreu i FIGC-së.

Një mesazh i qartë që kërkon veprim të menjëhershëm: pa reforma konkrete, edhe simboli i futbollit italian si ‘San Siro’ rrezikon të mos jetë pjesë e festës së madhe kontinentale.



Lexoni të gjitha në Bota Sot