Broja, 24 vjeç, nuk ka debutuar ende si titullar në Premier League me skuadrën e tij të re, ndërsa aktivizimet e vetme si titullar i ka pasur në Carabao Cup kundër Derby County-t dhe Cardiff City-t. N
ë të dyja rastet, sulmuesi i kombëtares shqiptare u pa larg ritmit optimal, duke treguar qartë se i mungojnë minutat në këmbë pas një periudhe të gjatë të vështirë me dëmtime serioze.
Parker theksoi se lojtari ka nevojë për kohë dhe për punë të vazhdueshme:
“Mendoj se Armando ka nevojë për shumë punë në këtë moment.
Ai nuk ka luajtur shumë futboll në dy vitet e fundit. Duhet të jemi të gjithë të qetë me të.
Kundër Cardiff-it pamë një version më të mirë të tij krahasuar me ndeshjen e kaluar, por është e qartë që i duhen më shumë minuta, më shumë stërvitje dhe vazhdimësi.
Ai do të jetë vendimtar për ne këtë vit, por duhet të kujdesemi për të dhe t’i japim kohën që i duhet”, tha tekniku anglez.
Burnley u eliminua nga Carabao Cup pas humbjes ndaj Cardiff City-t, në një mbrëmje ku jo vetëm Broja, por edhe pjesa tjetër e skuadrës nuk dha nivelin e pritur. E vetmja notë pozitive ishte goli i parë i sezonit për Zian Flemming.
Megjithatë, Parker mbetet optimist se me punë dhe durim, Armando Broja do të kthehet në një pikë kyçe për suksesin e Burnley-t gjatë këtij sezoni.