Chivu ndjek gjurmët e Inzaghit, moduli i vjetër me ca ide të reja

- Bota Sot

Chivu ndjek gjurmët e Inzaghit, moduli i vjetër me ca ide të reja

Revolucioni tek Interi mund të presë. Pas fillimit të vështirë, Cristian Chivu ka vendosur të bëjë një hap pas, duke u rikthyer te siguritë që sollën sukses në vitet e fundit me Simone Inzaghin.

Dy fitoret e fundit kanë qetësuar stuhinë, edhe pse rrugëtimi mbetet i pasigurt dhe me shumë teste përpara.

Trajneri rumun, i njohur për idetë e tij ambicioze, ka zgjedhur pragmatizmin: skema 3-5-2 mbetet e pandryshuar, duke u mbështetur tek eksperienca e lojtarëve si Calhanoglu dhe gjysmanësorët që e njohin mirë sistemin.

Pa përforcime vendimtare në merkato, si një mesfushor fizik ose një sulmues i shpejtë në stilin e Lookman-it, ishte e pamundur të ndryshohej thellësisht mënyra e lojës.

Megjithatë, shihen përpjekje për një futboll më modern: presing më i lartë dhe vertikalitet më i madh në ndërtimin e aksioneve.

Ende mbeten gabime në mbrojtje dhe skemat e zakonshme të Inzaghit, por Chivu ka zgjedhur evolucionin e ngadaltë në vend të revolucionit të rrezikshëm.

Interi është “gjysmë i ri”: mes traditës dhe përpjekjeve për ndryshim, Chivu kërkon stabilitet për të shmangur dallgët e një tjetër sezoni të trazuar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot