Alessandro Buongiorno ka pësuar një dëmtim gjatë ndeshjes së fituar nga skuadra e Antonio Contes kundër Pizës dhe do të qëndrojë jashtë fushave për disa javë.
Një mungesë që nuk ishte aspak e dëshiruar, edhe pse trajneri italian mund të buzëqeshë me rikthimin e Amir Rrahmanit, i cili ishte i dëmtuar.
Rrahmani pritet të formojë qendrën e mbrojtjes së bashku me Juan Jesus për sfidën e së dielës mbrëma në “San Siro” kundër Milanit të Massimiliano Allegrit.
Sipas ekzaminimeve mjekësore të kryera dje, për Buongiornon është konfirmuar një dëmtim i shkallës së ulët në muskujt aduktorë të kofshës së majtë.
Kjo mungesë nuk do të ndikojë vetëm te Napoli, por edhe te kombëtarja italiane e drejtuar nga Gennaro Gattuso, e cila do të duhet të bëjë pa të në ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Botërorin.
Mbrojtësi ka nisur menjëherë procesin e rikuperimit, por sipas Gazzetta dello Sport, koha e rikthimit të tij është rreth 25 ditë. Objektivi është që Buongiorno të jetë gati për t’u rikthyer në fushë pikërisht kundër ish-skuadrës së tij, Torinos.