Një ngarkesë e madhe droge është sekuestruar në brigjet e Afrikës Perëndimore pas një aksioni të kryer, që është edhe sasia rekord e kapur ndonjëherë.
Operacioni u krye nga Marina e Francës, e cila njoftoi mëngjesin e sotëm (25 shtator) se kishte sekuestruar 9.6 tonë kokainë, me vlerë më shumë se 500 milionë euro, nga një anije peshkimi në brigjet e Afrikës Perëndimore.
Më konkretisht, sipas informacionit nga Rajoni Detar i Atlantikut, operacioni u krye nga dy anije të Marinës, pas informacionit të dhënë nga shërbimet antidrogë, shërbimet e inteligjencës detare dhe policia britanike.
Aksioni është pjesë e misionit “Corymbe”, i krijuar në vitin 1990 në Gjirin e Guinesë, me qëllim forcimin e sigurisë në një rajon ku pirateria është një fenomen i shpeshtë.
“Në total, nga anija u sekuestruan 9.6 ton kokainë me një vlerë tregu prej gati 519 milionë eurosh (609 milionë dollarë),” tha Rajoni Detar i Atlantikut, duke vënë në dukje se anija nuk mbante flamurin e asnjë vendi.
Deri më tani, nuk janë dhënë detaje rreth fatit të ekuipazhit, ndërsa zakonisht në operacione të tilla, droga shkatërrohet dhe anija lejohet të vazhdojë kursin e saj. Ky është suksesi më i madh i Marinës Franceze në vitin 2025. Deri në fund të gushtit, marina franceze kishte sekuestruar tashmë gati gjashtë tonë kokainë në brigjet e Afrikës Perëndimore.