Monza po hap një epokë të re, duke mbyllur përfundimisht kapitullin “Berlusconi” në futboll pas gati 40 vitesh. Familja largohet nga skena dhe klubin e merr fondi amerikan “Beckett Layne Ventures”, i drejtuar nga menaxheri i marketingut Brandon Berger.
Operacioni vlen rreth 30 milionë euro dhe shënon një moment historik për klubin që, nën drejtimin e Silvio Berlusconit dhe Adriano Gallianit, u ngjit për herë të parë në Serie A.
Shitja e klubit pritet brenda orëve të ardhshme, konfirmohet edhe nga Komuna e Monzës. Është krijuar një strukturë ekonomike italiane që do të shërbejë si garanci për pronarët e rinj. Fillimisht, bordi drejtues do të jetë italian, por në të ardhmen Berger pritet të bëhet president, me Mauro Baldissoni si administrator.
Financiarisht, fondi ka paguar tashmë 3 milionë euro për 10% të aksioneve.
Me marrëveshjen përfundimtare do të shtohen 21 milionë të tjera për të arritur 80%. “Fininvest” do të mbajë 20% deri në qershor 2026. Objektivi i pronarëve të rinj është konsolidimi i Monzës, kthimi në Serie A dhe rritja ndërkombëtare.