Volejbolli shqiptar do të nisë nesër javën e tretë të kampionateve kombëtare për femra dhe meshkuj, një javë që rezervon sfida interesante.
Superliga e femrave do të hapet me dy takime të premten, ku fillimisht do të zbresin në parket Vllaznia dhe Dinamo kryesuese, përballje që do të nisë në orën 16:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Vajzat blu të Orlando Kojës futen si favorite absolute në këtë ndeshje, një ekip që ka treguar nivel të lartë në dy daljet e para sezonale.
Më tej, në orën 18:00 në “Asllan Rusi” do të zhvillohet takimi ndërmjet Partizanit dhe Teutës, ekipe që janë në kërkim të fitores së parë. Java do të kompletohet të shtunën me takimet Tirana-Skënderbeu, në orën 17:00 në “Farie Hoti” dhe Pogradeci-Korabi, në të njëjtën orë në sallën “Arefi Breberi”.
Për sa i përket kampionatit kombëtar të meshkujve, java e tretë do të nisë nesër në orën 14:00 me takimin ErzeniElbasani, sfidë që do të luhet në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” dhe që vendos përballë skuadrat që mbyllin tabelën e renditjes. Më tej, në orën 18:00 në Shkodër, Vllaznia kryesuese do të presë Studentin.
Java e tretë do të mbyllet të shtunën me ndeshjen Tirana-Skënderbeu, takim që do të luhet në orën 19:00 në “Shtëpinë Bardheblu”. Ndërkohë, këtë herë radhën për të qëndruar pushim për shkak të numrit tek të ekipeve në kampionat, e kanë kampionët në fuqi të Partizanit.