Legjenda e klubit drejt rikthimit te Milani

- Bota Sot

Legjenda e klubit drejt rikthimit te Milani

Thonë se dashuria nuk vdes kurrë, dhe kështu duket se është rasti mes Adriano Galianit dhe Milanit. Ish-administratori i kuqezinjve i ka dhënë fund aventurës si president te Monza, pasi ekipi italian ka ndërruar pronar dhe nuk është më “pronë” e familjes Berlusconi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Galiani ka zyrtarizuar largimin nga Monza edhe pse pronarët e rinj i kanë ofruar rolin e presidentit të klubit.

“Këtë mëngjes, i komunikova pronarit të ri, të cilin e falënderoj sinqerisht për mundësinë, dhe Fininvest, vendimin tim, për të mos pranuar pozicionin e Presidentit të AC Monza që më ishte ofruar.

Ishte një vendim i vështirë.

Unë kam lindur dhe jam rritur në Monza, dhe Monza është ekipi i futbollit që kam mbështetur që kur isha pesë vjeç.

E mora këtë vendim për t’u përkushtuar plotësisht aktiviteteve të mia të tjera, por edhe për t’i dhënë pronarit dhe menaxhmentit të ri liri të plotë për të formësuar vizionin e tyre dhe për të ndjekur planet e tyre për të ardhmen e klubit”, shkruan mes të tjerash Galiani.

Ndërkohë mediat italiane raportojnë se prej javësh ka pasur takime mes Galianit dhe Gerry Cardinale, për një rikthim të 81-vjeçarit te Milan, ku do të mbajë rolin e Zv. presidentit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot