Pas një periudhe të errët te Barcelona dhe më pas si huazim te Real Betis, Vitor Roque duket se ka rilindur dhe ka gjetur shkëlqimin e dikurshëm pas rikthimit te Palmeiras në Brazil.
Fillimisht, braziliani u transferua nga Athletico Paranaense te Barcelona për 40 milionë euro, por te katalanasit nuk i dhanë kurrë kohën e mjaftueshme për të treguar vlerat, më pas erdhi huazimi te Betis, ku nuk është se spikati, për t’u rikthyer vetëm pas një viti te Palmeiras, e cila pagoi 25 milionë euro për kartonin e tij.
Me rikthimin në Brazil. Roque shënoi 12 gola në sezonin e fundit dhe ka dhënë 4 asiste, duke u bërë protagonist te Palmeiras. Për brazilianin ka interes të madh nga Inter dhe mund të ketë një rikthim për të në Europë, por këtë herë në Serie A.
Ende nuk mund të flitet për shifra ekopnomike dhe detaje të tjera, por mund të thuhet me siguri të plotë që Vitor Roque është në agjendën e klubit zikaltër. Tashmë dihet dashuria historike që Inter ka për futbollistët brazilianë dhe Roque mund të jetë ylli i tyre i radhës.