Prishtinë– Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ku Edon Bujupi akuzohet për vrasjen e vjehrrit të tij A.K. Prokurorja Fitore Sadikaj tha se u vërtetua se i akuzuari ka kryer vrasjen. Vetë Bujupi tha se rasti ndodhi në vetëmbrojtje.
Palët në këtë procedurë dorëzuan me shkrim fjalën përfundimtare dhe e elaboruan shkurtimisht para trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokurorja Sadikaj deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor Prokuroria ka ardhë në përfundim se janë fuqizuar provat se i akuzuari ka kryer veprën penale të vrasjes.
Ndërsa, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Fatlume Hoxha-Sekiraqa deklaroi se e mbështesin fjalën përfundimtare të dhënë nga prokurorja Sadikaj, ndërsa kërkoi që Gjykata të shqiptojë dënim të merituar për të akuzuarin Bujupi.
Në fjalën përfundimtare janë deklaruar edhe dy të dëmtuarat A.K., (vajza e të ndjerit A.K) dhe A.K., (bashkëshortja e të ndjerit A.K), të cilat thanë se nuk paraqesin kërkesë pasurore-juridike për të ndjerin.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Bujupi, avokati Skender Musa ndër të tjera deklaroi se bazuar në dëshmitë e të dëmtuarave dhe dëshmitarëve, në këtë rast mungon elementi i dashjes, duke pretenduar se në këtë rast kemi të bëjmë me mbrojtje të nevojshme.
Avokati Musa kërkoi nga Gjykata lirimin e të mbrojturit të tij nga akuza si dhe ndërprerjen e masës së paraburgimit.
Ndërsa, vetë i akuzuari Bujupi e mbështeti fjalën e mbrojtësit të tij, duke shtuar se nuk donte të lëndonte askënd. Sipas tij, në atë rast ishe vetëmbrojtur.
“Nuk kam dashtë kërkan me mbytë, unë jam mbrojtë”, tha i akuzuari Bujupi.
Në fund, kryetarja e trupit gjykues Fatime Dermaku e shpalli të mbyllur shqyrtimin gjyqësor në këtë çështje, ndërsa caktoi datën e shpalljes së aktgjykimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, me datë 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe miqve të tij (babait dhe vëllait të gruas), kanë filluar përleshjen mes vete, ku gjatë përleshjes fizike, me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Edon godet me armë të ftohtë – thikë e cila kishte gjatësinë e tehut 19 centimetra – në regjionin e majtë të kraharorit tani të ndjerit A.K., i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka ndërruar jetë në SHSKUK.
Me këtë, Bujupi sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.