Kosova e Dusseldorfit bind në miqësore

- Bota Sot

Kosova e Dusseldorfit bind në miqësore

Kosova e Dusseldorfit ka testuar lojtarët në një ndeshje miqësore. Djelmoshat kuqezi bindën me lojë e rezultat, duke fituar miqësoren (5:0) ndaj SG Benrarth Hassels.

“FC Kosova ka dhuruar një paraqitje mbresëlënëse në miqësoren e mbrëmjes së sotme, duke triumfuar me rezultat të thellë 5:0 ndaj ekipit SG Benrarth Hassels. Ishte një lojë e dominuar në çdo aspekt nga skuadra jonë, e cila kontrolloi ndeshjen dhe nuk i dha kundërshtarit asnjë hapësirë.

Serinë e golave e hapi në minutën e 15-të golashënuesi më i mirë i Landesliges në sezonin e kaluar, Fatlum Ahmeti, i cili edhe këtë herë tregoi nuhatjen e tij për gol.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, Kaito Kajitani dyfishoi epërsinë me një realizim të bukur, duke e çuar skuadrën në pushim më të qetë.

Në pjesën e dytë, FC Kosova vazhdoi me ritëm të lartë dhe shënoi edhe tri herë të tjera: fillimisht Besim Faslija në minutën e 76-të, më pas Lejs Zenuni në të 87-ën, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Egzon Zendeli në minutën e 90+1.

Një rol të veçantë në këtë fitore pati edhe portieri Leon Hasani, i cili me disa pritje vendimtare i mohoi kundërshtarit raste të pastra shënimi, duke ruajtur portën e paprekur.

Përveç rezultatit të thellë, një element i rëndësishëm ishte fakti që trajneri Alfonso del Cueto kreu shumë zëvendësime dhe testoi disa lojtarë e skema të ndryshme taktike.

Kjo tregon se skuadra është ende në proces ndërtimi dhe ka nevojë për përmirësime të mëtejshme, sidomos në aspektin e ideve dhe të funksionalitetit të skemave të lojës, në varësi të kundërshtarit dhe gjendjes fizike të lojtarëve.

Sfida e radhës pritet të jetë shumë e rëndësishme: të dielën, FC Kosova përballet me Gnadentalin, një kundërshtar që ka po aq pikë sa skuadra jonë (9).

Drejtuesit dhe lojtarët janë të vendosur për fitore, me synimin për të ecur më pranë kreut të renditjes”, shkruan në faqen e FC Kosova.



Lexoni të gjitha në Bota Sot