Barcelona është përfshirë nga pasiguria pas dëmtimit të Raphinha-s në ndeshjen ndaj Oviedo-s.
Sulmuesi brazilian ndjeu shqetësime në pjesën e pasme të kofshës së djathtë pas një ndërhyrjeje në rrëshqitje për të rikuperuar një top.
Edhe pse tentoi të vazhdonte lojën, dhimbja e detyroi të kërkonte zëvendësim.
Sipas vlerësimeve të para mjekësore, nuk bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë, por vetëm analizat e detajuara që do të kryhen sot do të tregojnë shkallën e saktë të problemit.
Hansi Flick shtoi konfuzion pas ndeshjes. Fillimisht ai foli për një “vendim teknik” në lidhje me zëvendësimin, por më vonë në konferencë për shtypin pranoi se lojtari kishte lënë fushën për shkak të shqetësimeve muskulore.
Në këto kushte, braziliani vështirë se do të jetë i gatshëm për përballjen e së dielës kundër Real Sociedad-it, teksa Barça nuk dëshiron të rrezikojë gjendjen e tij fizike. Arsyeja është e qartë: të mërkurën katalanasit presin një duel vendimtar në Champions League kundër kampionëve në fuqi, Paris Saint-Germain.
Klubi dhe tifozët mbeten në pritje të verdiktit mjekësor, me shpresën që Raphinha të rikuperohet në kohë për ndeshjen e madhe europiane që mund të përcaktojë fatet e sezonit.