Carlo Ancelotti mbërriti te Chelsea në verën e vitit 2009 dhe që në sezonin e parë arriti të fitonte “dopietën” historike: Premier League dhe Kupa e Anglisë.
Megjithatë, një vit më vonë, pavarësisht se e mbylli Premier League në vendin e dytë pas Manchester United dhe u eliminua në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve po nga “djajtë e kuq”, trajneri italian u shkarkua.
Në biografinë e tij, Ancelotti zbulon një episod të pazakontë që, sipas tij, ishte vendimtar për largimin nga Londra. Ish-pronari i klubit, Roman Abramovich, dëshironte të kontrollonte gjithçka dhe e mori si ofendim personal vendimin e trajnerit për të zëvendësuar Fernando Torres-in në pjesën e dytë të ndeshjes së kthimit ndaj Manchester United, në Ligën e Kampionëve 2010/11.
Torres, i transferuar me shumë bujë nga Liverpool gjatë atij sezoni, ishte një nga “të pëlqyerit” e Abramovich-it. Por Ancelotti mbrojti zgjedhjen e tij:
“Torres ishte qartazi pa besim dhe i ndiente peshën e madhe të shifrës së transferimit mbi shpatulla”, shkruan ai.
Në vend të spanjollit hyri Didier Drogba, i cili shënoi edhe golin e vetëm të Chelsea-t në atë përballje, e cila megjithatë përfundoi me eliminimin e londinezëve (3-1 në total).
Ironikisht, vetëm një vit më vonë, Chelsea do të fitonte për herë të parë në historinë e tij Ligën e Kampionëve, në një sezon të ndarë mes André Villas-Boas dhe Roberto Di Matteo-s.
Ancelotti, sot trajner i përfaqësueses së Brazilit, thekson se rrallë herë në karrierë ka përjetuar një situatë të tillë, ku çdo vendim e çdo rezultat ishin të lidhura drejtpërdrejt me dëshirat dhe pritshmëritë e një pronari si Abramovich.