Pas 17 vitesh karrierë të shkëlqyer, Sergio Busquets ka njoftuar se do të tërhiqet nga futbolli në dhjetor 2025, në përfundim të sezonit të MLS me Inter Miamit. Lajmi, i përfolur prej disa ditësh, u konfirmua nga vetë lojtari me një video emocionuese që përmbledh momentet më të paharrueshme të tij në fushë.
Busquets debutoi si profesionist në shtator 2008 me Barcelonën, klub ku u bë simbol dhe ku fitoi gjithçka: tituj të shumtë në La Liga, Champions League dhe trofe të tjerë që e bënë pjesë të historisë së futbollit. Në arenën ndërkombëtare, ai ishte shtylla e mesfushës së Spanjës kampione bote në vitin 2010 dhe e fitueses së Euro 2012.
Në vitin 2023, “Busi” iu bashkua Inter Miami-t në MLS, ku përjetoi një kapitull të ri pranë miqve dhe ish-shokëve të Barcelonës: Messi, Luis Suárez, Jordi Alba dhe Javier Mascherano
. Përmes përvojës së tij, ndihmoi në rritjen e klubit amerikan dhe në përhapjen e kulturës së futbollit europian në Shtetet e Bashkuara.
Në mesazhin e tij të lamtumirës, katalanasi falënderoi shokët e skuadrës, trajnerët, tifozët dhe mbi të gjitha familjen, duke theksuar se njerëzit janë dhurata më e madhe që futbolli i ka sjellë.
Me largimin e tij, mbyllet një epokë. Busquets do të kujtohet gjithmonë si “regjisori i heshtur”, mjeshtri i thjeshtësisë që e ktheu lojën më të ndërlikuar në një art të pastër futbollistik.