Derbi i shumëpritur i Madridit mes Atleticos dhe Realit do të zhvillohet të shtunën, në “Metropolitano”, por të dyja skuadrat do të zbresin në fushë me mungesa të rëndësishme.
Atletico Madrid nuk do të ketë në dispozicion emra si Thiago Almada, Cardoso dhe Gimenez. Almada vijon të vuajë një problem muskulor të pësuar gjatë pushimit prej ndeshjeve të kombëtareve, ndërsa Cardoso pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë stërvitjes përpara debutimit në Champions, kundër Liverpool-it. Gimenez, edhe pse ka nisur të stërvitet me grupin, është jashtë që prej Botërorit të Klubeve dhe nuk është ende gati për rikthim.
Në kampin tjetër, Real Madridi humbet Trent Alexander-Arnold, Ferland Mendy dhe Antonio Rüdiger.
Anglezi pësoi një dëmtim të rëndë muskulor kundër Marseille dhe do të mungojë për rreth dhjetë javë. Mendy, i dëmtuar në finalen e Kupës së Mbretit sezonin e kaluar, ende nuk është bashkuar me skuadrën, ndërsa Rüdiger ndaloi gjatë stërvitjes në mesin e shtatorit dhe pritet të rikthehet vetëm në fund të nëntorit.
Me gjithë këto mungesa, sfida e së shtunës (ora 16:15) pritet të jetë e zjarrtë, me të dyja skuadrat që kërkojnë pikë të rëndësishme dhe konfirmim përpara ndeshjeve vendimtare në arenën europiane.