Kur Luka Modriç zbarkoi në Milano dhe Kevin De Bruyne në Napoli, komentet ishin pothuajse të njëjta: “goditje e madhe, por…”, “Serie A, varrezë e elefantëve”, “po mirë, por në çfarë forme janë?”.
Skeptikët nuk munguan, ata që besojnë verbërisht vetëm te të rinjtë.
Por futbolli ka treguar gjithmonë se për të fituar duhen edhe kampionë të vërtetë, ata që përvoja dhe inteligjenca i vendosin mbi çdo statistikë.
Max Allegri, që supozohej ta përdorte Modric vetëm si “lojtar për 20 minuta”, nuk e heq më nga fusha. Antonio Conte, që mori një De Bruyne me kilogramë të tepërt e pak jashtë ritmit, e ka kthyer në boshtin e lojës së Napolit. Dhe rezultatet janë aty: klasi i tyre ndriçon çdo ndeshje.
Shikimi i tyre është një privilegj për tifozët: pasime të para, vertikalizime, vizion loje që duket i paracaktuar. Allegri e përshkruan Modric-in me fjalët: “Ai e di një minutë përpara ku do të shkojë topi”.
Kjo është arsyeja pse Milani fiton terren përpara dhe e shndërron presionin në armën kryesore. Nga ana tjetër, De Bruyne ka shënuar dy gola në katër ndeshje dhe, pa daljen e detyruar kundër Manchester City për shkak të kartonit të kuq të Di Lorenzo, mund të kishte lënë shenjë edhe në Europë.
Mësues për të rinjtë
Milani kishte investuar për Ricci-n, por praninë e Modric-it e shndërron çdo stërvitje në një leksion. Vetë mesfushori i ri e pranoi: “mënyra më e mirë për të mësuar është ta shohësh nga afër”. Në Napoli, Conte zhvendosi McTominay për t’i bërë vend Kevin-it, sepse për lojtarë të tillë gjithmonë ka hapësirë.
Nga skeptikë në duartrokitje
“Janë të vjetër, kanë ardhur për të kaluar kohën”, thoshin shumë. Realiteti është krejt ndryshe: Modriç dhe De Bruyne po e pasurojnë Serinë A, duke i dhënë intensitet, spektakël dhe personalitet.
Të dielën mbrëma, në ‘San Siro’, dritat do të jenë të gjitha për ta. Milan-Napoli nuk është thjesht një duel për pikë, por një skenë për dy legjenda që ende e tregojnë se futbolli i madh nuk ka moshë. Allegri dhe Conte e dinë: titulli kalon edhe nga këmbët e tyre.