Sergio Ramos, nderim ‘rivalit’ të madh në ‘El Clasico’

- Bota Sot

Sergio Ramos, nderim ‘rivalit’ të madh në ‘El Clasico’

Sergio Busquets ka njoftuar se do të tërhiqet nga futbolli aktiv në fund të këtij sezoni në MLS, duke mbyllur një karrierë të lavdishme prej 18 vitesh.

Mesfushori katalanas, sot 37 vjeç, i është përkushtuar tri vitet e fundit Inter Miami-t, ku së bashku me Lionel Messin ka qenë një nga liderët e skuadrës amerikane. Ai do të varë këpucët nga tetori deri në dhjetor, në varësi të rrugëtimit të ekipit në fazën “playoff”.

I lindur në Sabadell, Busquets ka qenë për më shumë se një dekadë zemra e mesfushës së Barcelonës, duke fituar gjithçka: La Liga, Champions League, Kupën e Mbretit, si dhe trofe ndërkombëtarë me Spanjën.

Ai ishte pjesë e gjeneratës së artë të përfaqësueses “La Roja”, që fitoi Botërorin 2010 dhe Europianin 2012, duke formuar një bosht të pathyeshëm së bashku me Xavi-n dhe Iniesta-n.

Stili i tij i lojës, i bazuar mbi thjeshtësinë, vendosjen perfekte dhe inteligjencën taktike, e ka bërë një futbollist unik. Shpeshherë kritikët e përshkruanin si lojtar “të padukshëm”, por për trajnerët dhe shokët e skuadrës ai ishte gjithmonë shtylla kurrizore e balancës në fushë.

Homazhet dhe mesazhet

Lajmi i tërheqjes ka ngjallur reagime të shumta në botën e futbollit. Një nga rivalët e tij më të mëdhenj, Sergio Ramos, me të cilin ka ndarë shumë “El Clásico” mes Real Madrid-it dhe Barcelonës, por edhe sukseset me Spanjën, i ka kushtuar një mesazh prekës: “Ke pasur një mënyrë loje unike. Ka qenë një nder të ndaj fushën me ty”.

Një kapitull i mbyllur, një tjetër që nis

Busquets u shpreh: “Çdo fund është një fillim i ri”, duke lënë të hapur derën për një të ardhme në futboll, ndoshta si trajner apo drejtues.

Me të, mbyllet një epokë e futbollit modern. Busquets do të kujtohet gjithmonë si mesfushori i qetë, por vendimtar, që ndryshoi mënyrën e të kuptuarit të lojës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot