Vetëm pak orë para ndeshjes së tyre në Ligue 1 kundër Auxerre, PSG-ja përditësoi raportin e tyre mjekësor, duke theksuar një tjetër mungesë të rëndësishme, atë të Markinjos.
Pas një sezoni të jashtëzakonshëm 2024/25, parizienët po paguajnë shtrenjtë për axhendën e ngjeshur të sezonit të ri. Klubi francez e kishte përfunduar sezonin e kaluar vetëm më 13 korrik, me finalen e Kupës së Botës për Klube, dhe rifilloi stërvitjen në fillim të gushtit, kur ekipet e tjera kishin grumbulluar tashmë një muaj e gjysmë përgatitjeje.
Rezultati është mungesa e përgatitjes së duhur, duke rezultuar në rritje të problemeve fizike.
Pas lëndimeve të Ousmane Dembele dhe Desire Doue ndërsa luanin për ekipin kombëtar, Bradli Barkola dhe Zhoao Neves u detyruan gjithashtu të humbisnin ndeshjen kundër Marsejës..
Dhe sot, PSG konfirmoi se edhe Markinjos do të jetë jashtë fushave për shkak të një problemi me kuadricepsin e majtë. Prandaj, kapiteni do të humbasë jo vetëm ndeshjen e ligës, por edhe ndeshjen vendimtare të Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës të mërkurën e ardhshme.