Liverpooli nderon familjen e Diogo Jotës

- Bota Sot

Liverpooli nderon familjen e Diogo Jotës

Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, ka folur me emocion mbi tragjedinë që goditi klubin në korrik, kur sulmuesi portugez, Diogo Jota, humbi jetën në një aksident automobilistik. Në një intervistë për TNT Sports, ai zbuloi se drejtuesit e klubit anglez kanë vendosur të shlyejnë në tërësi pagën e lojtarit deri në fund të kontratës, duke e kaluar shumën tek e veja e tij, Rute Cardoso.

“Shpesh pronarët e klubeve kritikohen, por mënyra se si ata e menaxhuan këtë situatë është shembullore.

Ata i paguan gruas dhe fëmijëve të tij të gjithë shumën e parashikuar nga kontrata.

Mund të duket normale, por në futboll kjo nuk është diçka e zakonshme,” tha Slot.

Në momentin e ndarjes nga jeta, Jota ishte 28 vjeç dhe i lidhur me Liverpool-in për edhe dy sezone të tjera. Shuma e përfituar nga familja e tij arrin rreth 15,5 milionë euro, deri në vitin 2027.

Slot theksoi gjithashtu reagimin prekës të tifozëve dhe bashkëlojtarëve, të cilët e kujtuan me këngë, lule dhe mesazhe të shumta për familjen e sulmuesit:

“Dhimbja e përjetuar nga i gjithë qyteti tregon se sa i veçantë është ky klub.

Është e pabesueshme ajo që kanë bërë tifozët dhe lojtarët tanë.”

Në fund, trajneri holandez pranoi se përballja me këtë humbje mbetet e vështirë:

“Ka momente kur e ndiej sikur jam në vendin e gruas dhe fëmijëve të tij. Jeta vazhdon, por është shumë e dhimbshme të mendosh çfarë duhet të përballojnë ata.”



Lexoni të gjitha në Bota Sot