Një nga historitë më të pabesueshme të futbollit europian po shkruhet në një fshat të vogël peshkatarësh buzë Detit Baltik.
Mjällby AIF, një klub modest suedez, është vetëm gjashtë javë larg nga realizimi i një mrekullie: kryeson kampionatin Allsvenskan me tetë pikë avantazh dhe ka humbur vetëm një ndeshje gjatë gjithë sezonit.
Nëse e përfundon këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm, do të siguronte titullin e parë në 86 vite histori.
Ekipi është përbërë kryesisht nga futbollistë vendas dhe luan ndeshjet e tij në një stadium me vetëm 6.000 vende, në Hällevik, një fshat me rreth 800 banorë në jug të Suedisë.
Në stol ndodhet Anders Torstensson, ish-ushtarak dhe aktualisht drejtor shkolle, ndërsa skauti i klubit punon edhe si postier. Vetëm nëntë vite më parë, Mjällby ndodhej një hap larg rënies në kategorinë e katërt.
“Mundëso të pamundurën” është motoja e klubit, dhe këtë po e përjetojnë realisht. “Nëse do të fitonim kampionatin, nuk mendoj se ka ndonjë arritje tjetër të krahasueshme,” – tha presidenti i klubit, Magnus Emeus, duke theksuar se Mjällby garon me një buxhet minimal, shumë larg gjigantëve të kampionatit si Malmö. Vitin e kaluar, të ardhurat e klubit ishin rreth 9 milionë euro, vetëm një e teta e kampionëve në fuqi.
Kjo histori po krahasohet tashmë me suksesin e famshëm të Leicester City në Premier League më 2016.
“Është një përrallë,” – shprehet drejtori sportiv Jacob Lennartsson. “Shumë na pyesin si ia kemi dalë.
Sekreti është se kemi punuar me këtë projekt prej vitesh, jo vetëm këtë sezon.”
Mjällby është vetëm një hap larg nga shndërrimi në një simbol frymëzimi për futbollin europian: një dëshmi se edhe klubet më të vogla mund të ëndërrojnë dhe, ndonjëherë, ta kthejnë ëndrrën në realitet.