Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka dalë në mbrojtje të kapitenit Lautaro Martinez gjatë një seance stërvitore këtë javë në Appiano Gentile.
Sipas “Corriere dello Sport”, tensionet shpërthyen kur një nga të pranishmit, pjesë e sponsorëve dhe Inter Clubs, i bëri një koment sulmues pas një goli të Lautaros, duke i thënë: “Tani bëje edhe të dielën!”.
Chivu, i njohur për qetësinë e tij, këtë herë reagoi me tone të forta, duke kërkuar respekt.
“Ju lutem, respektoni këta njerëz që punojnë. Nuk dua të dëgjoj më komente për të dielën apo gjëra të ngjashme”, ka thënë Chivu.
Reagimi i tij u shoqërua me duartrokitje nga të tjerët, ndërsa incidenti zgjati vetëm pak sekonda.
Megjithatë, personi që bëri komentin nuk pritet të ftohet më në aktivitete të ngjashme të klubit.