Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e ruminantëve të vegjël) në një fermë me dele në fshatin Landovicë të Prizrenit, pas kontrolleve të vazhdueshme.
Sëmundja nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu, por shkakton dëme të mëdha në shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe ka ndikim të rëndë në ekonominë blegtorale.
“Masat që ka ndërmarrë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për parandalimin e përhapjes së PPR-së janë: kontrolli dhe mbikëqyrja e vazhdueshme në zonën e prekur, asgjësimi i kafshëve të prekura, kufizimi i lëvizjes së kafshëve në zonat tjera, si dhe njoftimi dhe bashkëpunimi me fermerët lokalë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Agjencia u bën thirrje fermerëve dhe qytetarëve të bashkëpunojnë ngushtë me shërbimet veterinare.
“Në momentin që identifikohen shenja klinike si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni apo kollitje e vazhdueshme, duhet të raportojnë menjëherë te organet kompetente. Për fermerët: Respektoni masat dhe udhëzimet e inspektorëve dhe veterinerëve zyrtarë. Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre”, thuhet mes të tjerash në njoftim.