Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se dronët që shkelën hapësirën ajrore të Ukrainës mund të kishin fluturuar nga Hungaria për të kontrolluar potencialin industrial të zonave në kufirin perëndimor. Budapesti e ka konsideruar fjalimin e tij si një shfaqje të “çmendurisë” dhe obsesionit anti-hungarez.
“Presidenti Zelenskiy po humb mendjen nga obsesioni i tij anti-hungarez. Tani po fillon të shohë gjëra që nuk ekzistojnë,” shkroi ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, në X.
Zelenskiy kishte cituar një vlerësim të përkohshëm ushtarak mbi aktivitetin e dronëve, pa treguar kur ishin vërejtur ata mbi zonën kufitare, shkruan Reuters.
“Kam udhëzuar që të verifikohen të gjitha informacionet e disponueshme dhe të bëhen raporte urgjente për çdo incident të regjistruar,” tha Zelenskiy në Telegram pas një takimi me komandën më të lartë ushtarake të Ukrainës.
Hungaria është anëtare e BE-së dhe NATO-s, dy organizata që janë aleate të Ukrainës në luftën me Rusinë, por marrëdhëniet mes Kievit dhe Budapestit shpesh kanë qenë të tensionuara. Pas pushtimit rus në shkurt 2022, shumë kompani ukrainase u zhvendosën në perëndim të vendit.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka qenë skeptik ndaj ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe ka mbajtur marrëdhënie më të ngrohta me presidentin rus, Vladimir Putin, sesa shtetet e tjera të NATO-s dhe BE-së.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha se Kievi kishte vendosur ndalim hyrjeje për tre zyrtarë të lartë hungarezë, si përgjigje ndaj një ndalimi të mëparshëm të Hungarisë ndaj zyrtarëve ukrainas.
Ukraina ka rreth 150,000 etnikë hungarezë, shumica në rajonin e Transkarpatisë në kufi me Hungarinë, ku qeveria hungareze dhe Kievi shpesh kanë pasur mosmarrëveshje mbi të drejtat gjuhësore të komunitetit.