Përmbysje pranë Pokrovskut, rusët ranë në kurthin e ukrainasve

- Bota Sot

Përmbysje pranë Pokrovskut, rusët ranë në kurthin e ukrainasve

Kryekomandanti i forcave të armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, konfirmoi se, pas javësh luftimesh të ashpra, forcat ukrainase arritën të rrethojnë njësitë ruse që kishin përparuar pranë Pokrovskut dhe se po vazhdon shkatërrimi i tyre. Këtë informacion e ndau në një konferencë për shtyp të mbajtur sot.

Syrskyi theksoi se qëllimet fillestare të Moskës për pranverë dhe verë nuk u arritën, raportojnë mediat.

Planet që përfshinin krijimin e zonave tampon në rajonet e Kharkiv dhe Sumy, marrjen e Pokrovskit dhe avancimin drejt kufijve të Donetsk, si dhe në rajonet e Zaporizhzhia, Dnipropetrovsk dhe Kherson, sipas tij, "nuk u realizuan falë veprimeve të afta të luftëtarëve tanë, vendimeve të mençura të komandantëve, reformave në kohë dhe goditjeve efektive ndaj pozicioneve të armikut”.

Pas dështimit, Rusia miratoi një taktikë të re të cilën komandanti ukrainas e quajti "një mijë prerje". Ajo mbështetet te skuadrat e vogla sulmuese prej katër deri në gjashtë ushtarësh që infiltrohen në territor ukrainas për të prishur logjistikën dhe për të ushtruar presion pa angazhuar formacione të mëdha.

Kjo qasje, tha ai, u përdor në vijën e frontit Dobropillia dhe Novopavlivka nga ana e ushtrisë së 8-të dhe 51-të si dhe korpusi i 68-të. Të kujtojmë, pushtimi i gjithë Donetskut është një nga qëllimet kryesore të Rusisë, e cila aktualisht kontrollon mbi 70 për qind të asaj zone dhe po përparon ngadalë. Afër Pokrovska, njësitë ruse arritën të avancojnë në thellësi nga 12 deri në 20 kilometra, por forcat ukrainase parashikuan manovrën e tyre dhe vendosën një kurth, duke u prerë rrugën pranë lumit Kazenji Torec.

"Duke parashikuar një zhvillim të tillë të ngjarjeve, ne riorganizuam një sërë njësish ushtarake. Plani ishte të prisnim grupin e armikut përgjatë vijës së pengesës — lumit Kazenji Torec", tha ai.

"Njësitë armike që kishin avancuar në thellësi u gjendën kështu në njëfarë qese. Njëkohësisht ne mbyllëm atë vijë me veprime të njësive tona të Forcave Ajrore Sulmuese në boshtet konvergjente nga veriu dhe jugu. Armiku përfundoi i rrethuar. Shkatërrimi i tij tani është në proces", deklaroi Syrskyi. Sipas raportit, janë çliruar 168 kilometra katrorë territor, ndërsa edhe 182 kilometra katrorë janë pastruar nga grupet sabotuese ruse, që bën rreth 360 kilometra katrorë gjithsej.

Syrskyi shtoi se për shkak të kësaj, Rusia u detyrua të ripozicionojë brigadat e marinës nga Summy dhe Novopavlivka në sektorin e Dobropillias, duke hequr dorë nga plane të tjera sulmuese. Këto njësie pësuan humbje të konsiderueshme, dhe humbjet ditore të armikut në atë zonë tani tejkalojnë 200 ushtarë.

"Çdo ditë atje ne shkatërrojmë, sipas vlerësimeve të ndryshme, 200 ose më shumë ushtarë të armikut. Sigurisht, kjo situatë do të vazhdojë të zhvillohet. Pres që armiku të vazhdojë të përdorë rezervat, duke i riorganizuar ato", tha ai.

"Do të doja të theksoja veprimet shumë të suksesshme të brigadave tona sulmuese dhe të Forcave Ajrore Sulmuese, të cilat kanë treguar një nivel të lartë stërvitjeje dhe motivimi dhe kanë provuar efikasitetin e tyre të lartë në praktikë", përfundoi komandanti ukrainas.



Lexoni të gjitha në Bota Sot