Te Dinamo atmosfera nuk është aspak pozitive. Skuadra nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, teksa prej 3 ndeshjes nuk e dinë shijen e fitores.
Janë mposhtur 2 herë dhe kanë barazuar në 1 sfidë, duke kaluar kështu një moment “JO” në Superiore. Ilir Daja për të disatën herë “refuzon” të flasë për mediat para ndeshjeve.
Dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe para duelit me Tiranën, me derbin që do të luhet ditën e sotme në “Selman Stërmasi” në orën 16:00. Timonieri i “Bluve” nuk ka folur në prag të kësaj përballje, teksa mësohet sipas shtypit të shkruar se ka tensione te “Blutë”.
Daja ka ngritur zërin ndaj futbollistëve, duke u folur me tone të ashpra. Kritikat janë të shumta, ku kërkohet maksimalisht përqendrim dhe vëmendje në fushë e lojës.
Fitorja ndaj Tiranës sot në derbi kthehet në “jetike” dhe 3 pikëshi mund të “shëronjë” disa plagë të dinamovitët.