Kusari-Lila: Alternativa nuk hyn më në koalicione pa kushte

- Bota Sot

Kusari-Lila: Alternativa nuk hyn më në koalicione pa kushte

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për raportet e partisë së saj me Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe për të ardhmen e koalicioneve politike.

Mbrëmë, në “Rubikon” , ajo tha se ka njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Vetëvendosjen se në këtë legjislaturë nuk do ta mbajë më pozitën e shefes së Grupit Parlamentar.

“Kam besuar gjithmonë se është pozitë që i takon Lëvizjes Vetëvendosje, pasi numrin më të madh të deputetëve e ka ai subjekt. Herën e parë ka qenë insistim i kryeministrit dhe e mora si obligim për shkak të përvojës institucionale. Jam e lumtur që e përfundova me sukses mandatin, por mbetem e bindur se kjo pozitë i takon LVV-së”, deklaroi ajo.

E pyetur nëse koalicioni i Alternativës me Vetëvendosjen është i përhershëm, Kusari-Lila tha se ai i takon vetëm legjislaturës së nëntë dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Koalicioni me LVV-në i përket legjislaturës së 9-të, sa i përket vazhdimësisë e kam thënë edhe privatisht edhe publikisht, e dinë të gjithë mendimin se unë nuk besoj që ka takon të vazhdojmë mandatin, mendoj se duhet të shkojmë në zgjedhje të reja nacionale sepse gjithë kjo zgjatje dhe ngarkesë , duhet të jetë thirrje dhe vetëdijësim për subjektet politike”, tha ajo.

Në lidhje me koalicionet e ardhshme, Kusari-Lila u shpreh se Alternativa tashmë ka kushte të qarta.

“Krejt varet nga diskutimi. Si kusht po e them që e kam vendosur që me këdo që ulemi dhe bisedojmë, dhe natyrisht me të parin Lëvizjen Vetëvendosje, kërkojmë koalicionin formal. Vetëm përfshirja në një listë… po e them si kusht publikisht, është koalicioni formal. Është tepër e rëndësishme që Alternativa ta ketë emrin dhe logon e saj, të jetë zyrtarisht e regjistruar dhe të ketë marrëveshje, dhe varësisht prej forcës politike pastaj të vazhdohet më tutje”, përfundoi Kusari-Lila.



Lexoni të gjitha në Bota Sot