Pas dy humbjeve, Partizani ka marrë fitoren e parë në Superligën e volejbollit për femra. Kryeqytetaset triumfuan dje kundër Teutës me rezultatin e pastër 3-0, takimi hapës i javës së tretë të kampionatit.
Të kuqet i mbyllën llogaritë për 1 orë e 14 minuta lojë në përballjen e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Një ndeshje e kontrolluar nga Partizani, ndërsa Teuta arriti të rivalizonte vetëm në setin e dytë.
Kështu sfida nisi nën diktatin e vendëseve, të cilat e morën thellë setin e parë, në shifrat 25-12.
Seti i dytë ishte edhe më i bukuri i ndeshjes, kjo edhe për meritë të vajzave durrsake, të cilat reaguan mjaft mirë, duke i vënë në vështirësi të kuqet.
Megjithatë, në momentet vendimtare Partizani nuk gaboi, duke e marrë setin 25- 22. I treti ishte pa histori, me Partizanin që komandoi në parket, duke fituar thellë, 25-11.
Paraqitje fantastike nga Joana Kushi, e cila stampoi plot 27 pikë për vendëset, mbështetur nga Xhovana Kaçorri me 11. Për Teutën shënuesja më e mirë ishte Romina Allamani, autore e 10 pikëve, me durrsaket që mbeten në fund të tabelës, në kuotën e zero pikëve.