Borë në Zvicër e Itali, ulja e temperaturave sjell reshjet e para në zonat malore

- Bota Sot

Borë në Zvicër e Itali, ulja e temperaturave sjell reshjet e para në zonat malore

Zonat malore të Zvicrës janë mbuluar nga bora të shtunën, duke shkaktuar vështirësi në trafikun rrugor.

Në Betmeralp, kantoni Valis dhe në Grindelvald, kantoni i Bernës, qytetarët u zgjuan me një peizazh të bardhë dhe shumë borë.

Sipas “Meteo Schweiz”, kufiri i lartësisë ku ka rënë borë luhatet midis 1800 dhe 2100 metrave. Në Alpet perëndimore dhe jugore pati deri në 50 centimetra borë.

Kalimi i rrugës së Gotardit u mbyll në të dyja drejtimet. Po ashtu, rrugët Tifenbah–Gletç dhe Vasen–Meiringen mbeten të mbyllura për shkak të reshjeve.

Ndërsa në male bie borë, në zonat e ulëta të Zvicrës bie shi.

Po ashtu edhe në zonat malore të Italisë bora ka zbardhur qyetzat. Reshjet e para u regjistruan në Çervinia, duke i habitur turistët dhe banorët me një peizazh përrallor.

Brenda pak orësh, shiu u shndërrua në copa të bardha, disa prej të cilave ishin të mëdha, duke mbuluar luginën dhe majat përreth.

Temperaturat zbritën në rreth 0°C dhe peizazhi alpin mori shkëlqimin e tij dimëror shumë herët, duke ofruar imazhe spektakolare që shënojnë simbolikisht fillimin e sezonit të ftohtë në male.



Lexoni të gjitha në Bota Sot