Partizani dhe Tirana po vuajnë shumë në këtë sezon.
Ekipet prej disa javësh nuk arrijnë dot të shkojnë te fitorja, duke humbur shumë terren ndaj ekipeve kryesuese.
Por jo vetëm kaq, pasi po zhgënjejnë çdo tifoz me paraqitjet e tyre.
Ekipe pa “busull”, që edhe pse java e 5-të e Superiores duhet të shërbenjte si një test për t’u rigritur para derbit të madh të kryeqytetit, për ironi të fatit, si “Demat” ashtu edhe bardheblutë u mposhtën nga Bylisi dhe Dinamo.
Derbi është programuar të zhvillohet më 3 tetor dhe jemi vetëm 6 ditë para kësaj përballje.
Skuadrat në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit shkojnë të “plagosura” moralisht.
Mladen Milinkovic nga njëra anë dhe Roberto Bordin nga ana tjetër nuk po arrijnë dot të “rikthejnë” entuziasmin në kryeqytet. Pozicionet e trajnerëve janë “lëkundur” ndjeshëm dhe tashmë vetëm derbi mund të shpëtojë “jetëgjatësinë” e tyre në kryeqytet.
Aktualisht Partizani ka 4 pikë në Superiore, ku ka marrë 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje, ndërkohë Tirana ka 2 pikë, ku ka siguruar 2 barazime dhe 3 humbje.