Arbër Hoxha i pafat, pësoi lëndim në përballjen ndaj Slaven Belupo

- Bota Sot

Arbër Hoxha i pafat, pësoi lëndim në përballjen ndaj Slaven Belupo

Ylli shqiptar Arbër Hoxha fatkeqësisht ka pësuar lëndim pas paraqitjes së shkëlqyer në fitoren e Dinamos ndaj Slaven Belupo, në kuadër të Superligës së Kroacisë.

Me gol e asistim, Hoxha ishte padyshim lojtari më i mirë i ndeshjes, mirëpo që u zëvendësua pas vetëm pjesës së parë.

Trajneri i Dinamos Kovacevic e ka konfirmuar se anësori këmbëshpejtë është lënduar, ndërsa ende nuk dihet nëse ky lëndim është serioz.

“Po bën mirë, kur erdha ishte në pikëpyetje nëse do të qëndronte. Sapo erdha i thashë se do të luante. Është duke bërë atë që prisja të bënte. Jam i lumtur me formën e tij, shpresoj që nuk ka pësuar ndonjë lëndim serioz”, tha ai ndër të tjera.

Hoxha ka gjetur shkëlqimin në këto përballjet e fundit, ku bëri dallimin edhe në Ligën e Evropës, në fitoren e madhe ndaj Fenerbahces, ku mahniti edhe trajnerin e skuadrës turke.

Kjo formë që po kalon Hoxha padyshim do t’i hyjë në ndihmë edhe Shqipërisë në muajin tetor, ku zhvillojnë përballjen më të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, kundër Serbisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot